Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, gjatë një konference, ka bërë analizën vjetore të arsimit, pa rezultateve në testimin e PISA 2022, ku rezultoi se aftësitë e 15-vjeçarëve shqiptarë u përkeqësuan.

Ajo u shpreh se dikasteri që ajo drejton ka hartuar një plan me synim përmirësimin e rezultateve në testimet e ardhshme Pisa 2025.

“Ne kemi hartuar një plan me synim përmirësimin e rezultateve në testimin e ardhshëm PISA 2025. Ky plan synon zbatimin e menjëhershëm, nga ky muaj. Përfshin një serë aktivitetesh dhe veprimtarish dhe hapa konkrete që bëjnë bashkë të gjithë aktoret në fushën e arsimit dhe një ndërveprim maksimal I agjencive tona, dhe padyshim fuqizimi I angazhimit mësues-nxënës.

E para, ashtu siç kemi analizuar rezultatet e përgjithshme, detyra e parë është analizimi i secilës shkollë pjesëmarrëse në PISA 2022, të angazhimit të stafeve për të identifikuar specifikisht dobësitë specifikime, në zhvillimin më pas të strategjive të përshtatshme për përmirësim.

Trajtimi i mësuesve është një shkallë e rëndësishme, trajnimi është për testimet ndërkombëtare në raport edhe me kuptueshmërinë, edhe me angazhimin por edhe me trajnimin sa u përket dijeve dhe aftësive pedagogjike duhet bërë në vazhdim.

Organizimi i trajnimeve dhe mentorimeve periodike për mësuesit e gjuhës, leximit, matematikës, gjuhës shqipe dhe shkencave do të realizohet nëpërmjet materialeve mbështetëse, të cilat janë duke u hartuar për përmirësimin e mësimdhënies në këto fusha dhe përgatitja e një kornize të detajuar të përmbajtjes së testimeve ndërkombëtare, me qëllim që institucionet arsimore të mundet të integrojnë filozofinë e këtyre testimeve në punën e tyre me nxënësit në mënyrë periodike”, deklaroi ministrja.

Gjatë 4 viteve pas rezultateve të programit PISA 2018, aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri për lëndën e matematikës, leximit dhe shkencës janë përkeqësuar, sipas rezultateve të “PISA 2022” të vendeve të OECD.

Nga rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” Shqipëria është renditur në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim. Në rezultatet e testimit për programin PISA 2018, Shqipëria u pozicionua në vendin e 61.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: