Nisja e sezonit të ri televiziv do ta gjejë Anila Çela si mikpritëse të formatit “Vila 24”. Moderatorja rikthehet në “News 24”, këtë herë me një mision edhe më unik, atë të të qënurit në shtëpinë e çdo shqiptari. Në intervistën e saj dhënë për “Panorama Plus”, Anila zbulon sesi është për të të marrë në duar, një prej emisioneve ikonë në ekranet shqiptare, çfarë ka shndërruar në një traditë tashmë bërjen e formateve të tilla.

Jemi mësuar ta shikojmë si imazh në emisionet e pasdites, por “Vila 24”, do të na zbulojë një tjetër Anilë, këtë herë edhe në rolin e amvisës. Sakaq, prezantuesja zbulon detaje të reja nga “Vila 24”, duke na premtuar një sezon edhe më të larmishëm, në rubrika, të ftuar, por edhe ndjesi.

Riktheheni në ekranin e “News 24” me “Vila 24”, çfarë do të thotë për ju ky rikthim?

Rikthehem në “News 24” fiks pas 1 viti. Dhe meqë jemi pas pushimeve, ndjesia e rikthimit në “News” ishte si ndjesia kur lë shtëpinë për pak kohë, edhe në rastet kur ke udhëtuar, shijuar, marrë eksperienca të reja prapë kur hap derën e shtëpisë dhe ndjen atë aromën që të ka munguar i thua vetes: “Nuk ka si shtëpia”. Nga “News 24” u shkëputa për kohë të shkurtër, ndaj gjeta pothuajse po ata miq e koleg që kisha lënë, me një pjesë të mirë të të cilëve kisha ruajtur kontakte ndaj gjithçka vijoi aty ku kishte mbetur.

  • foto galeri
  • foto galeri

Çfarë do të sjellë Anila në formatin e mëngjesit?

“Vila 24” është një nga formatet më të gjatë të emisioneve që “News 24” ka bërë në rrugëtimin e tij të gjatë si televizion. Është si një “brand” i afirmuar në publik prej vitesh. “Vila 24” ka ndryshuar “banorët” e saj ndër vite por vazhdon ruan me shumë fanatizëm dashurinë dhe harmonine brënda “shtëpisë”. Unë për fat, disa prej moderatoreve i kam edhe mikesha shumë të mira, të cilat i kam ndjekur edhe si shikuese nga shtëpia, dhe që do përpiqem të ndjek edhe këshillat e tyre. P.sh., Brunilda Lahe m’i ka dhënë “çelësat” e shtëpisë shoqëruar me këshilla e sugjerime me shumë vlerë. Çfarë do sjellë unë? Uroj të percjell atë që unë mendoj se i duhet mëngjesit, energjinë pozitive dhe të jemi njësh me ata që na ndjekin nga shtëpitë e tyre.

Nga pasditja, këtë herë në mëngjes, si është ky ndryshim për ju, por edhe në sytë e publikut?

Ndryshimi i parë për mua është zgjimi herët, shumë herët. Nuk jam shume tip mëngjesi ndaj këtu nis “sfida” ime e parë. Transmetimi “live” i përditshëm ka ngarkesën e vetë që nuk është e lehtë për të mbajtur një ritëm të mirë gjatë një sezoni të gjatë. Publiku me mua si moderatore mëngjesi më ka njohur edhe më parë. Unë e kam nisur me emisione mëngjesi, me kuzhine, me format të ngjashëm me “Vila 24”, sigurisht shume vite më parë, por shpesh njerëzit m’i kujtojnë ato vite që do të thotë është një eksperiencë e provuar më parë. Pasditja ka tjetër formulë, tjetër audiencë ndaj gjithçka konceptohet nga linja e formatit.

Mund të na zbuloni ndonjë detaj para nisjes së sezonit, rubrika të reja, apo surpriza që do të na presin?

“Vila 24” ka një bosht që pa diskutim edhe unë do ta ndjek ashtu si koleget e mia më parë. Kuzhina p.sh., është një pjesë e rëndësishme e kohës se emisionit. Do ketë sigurisht pjesë të reja, rubrika etj, por do doja t’i zbulonim rrugës.

Jemi mësuar t’ju shikojmë në rolin e mikpritëses së të ftuarve, a do të kemi mundësi ta shikojmë Anilën dhe si amvisë, pra do të përfshiheni në gatim?

Unë kam një raport të mirë me kuzhinën, jam natyrë që e dua gatimin, gatuaj edhe vet shumë, e shijoj ushqimin, kështu që mendoj se do ta gjej veten mirë në këndin e gatimit krah Idës.

“Vila 24” prej vitesh është ndër formatet më të ndjekur, duke vendosur një standart në emisionet e mëngjesit, si do ta ruaj Anila këtë brand suksesi?

Kur një format ka një emër është më e lehtë për një moderator. Sepse ajo që është më e vështirë të ndërtosh është publiku. Dhe “Vila 24” dhe “News24” publikun e ka bindshëm. Është formati më i ndjekur i emisioneve në të gjithë vendin ndaj gjysma e punës është gati. Sfida dhe detyra ime është ta mbaj dhe ta rris edhe me shumë. Me punë dhe dëshirën për të bërë gjëra të bukura do ta arrijmë. Kam fatin të punoj me një staf shumë të ngrohtë ku dëshira e të gjithëve është të bëjmë më të mirën, dhe jam e sigurt që do t’ia dalim.

Cilat janë sfidat e këtij formati për ju si moderatore, duke qenë se është një emision “live” dhe me shumë tematikë?

Sfidat janë vetëm në menaxhim të situatave që mengjesi i ka. Trafiku, vonesat e të ftuarve dhe probleme të vogla që transmetimi “live” i ka gjithnjë aty dhe do një përqendrim të mirë në atë që bën. Por, mua kjo më jep energji ndaj më pelqen ky presioni i “live”- it. Tematikat apo larmishmërinë tashmë kam vite që jam mësuar me keto kapercimet nga i ftuari në të ftuar, ndaj thjesht pak punë më shumë përgatitore dhe gati.

Nëse ju pyesim Anila është më komode në një format mëngjesi apo pasditeje?

Unë jam komode në gjithçka që më mbush e m^ jep mundësinë të punoj me dashuri. Unë e dua këte punë dhe orari është një detaj që nuk bën diferencë.

Për të gjithë publikun, pse duhet të ndjekim “Vila 24” në sezonin e ri mediatik?

Përderisa e kanë ndjekur deri tani kanë patur arsye plot. Pse duhet të vazhdojnë ta ndjekin, sepse “Vila 24” është njësh me shtepinë tuaj, sepse ne duam të mos na konsideroni si një emision në televizor, por një shtëpi njësoj si e juaja ku brenda ka gjithça. Ka dashuri, probleme, miq, ku behet pazar, ku gatuhet, ku ndajmë rrëfimet nga jeta e dita jonë etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: