Macet dhe qentë mund të zëvendësohen së shpejti me robotë, paralajmërojnë ekspertët. Rritja e numrit të popullsisë në të gjithë botën do të bëjë që kafshët të mbahen vetëm nga njerëzit shumë të pasur. Ndërkohë, njerëzit e tjerë do të kenë shokë virtual.

Dr. Jean-Loup Rault, profesor tek Universiteti Melbourne, thotë se perspektiva e kafshëve shtëpiakë robotike dhe atyre virutale nuk është aq e largët dhe e koklavitur nga sa mendojmë ne. Sipas tij, kafshët shtëpiake së shpejti do të jenë një luks në një botë të mbipopulluar dhe në të ardhmen mund të kemi pajisje teknologjike që imitojnë kafshët.

“Mund të duket e paimagjinueshme për ne që të kemi kafshë shtëpiake robotike ose virtuale, por do të jetë krejtësisht normale për gjeneratën tjetër,” tha Dr. Rault.

“Nëse do t’ia përshkruanit dikujt Facebook-un 20 vite më parë, ai do të mendonte se ju jeni i çmendur.”

“Ne kemi parë tashmë lidhjet e forta emocionale të njerëzve me qentë robotë në Japoni. Në këtë shtet, njerëzit janë aq të lidhur me qentë e tyre robotë, sa ata organizojnë edhe funerale për ta kur ngordhin.”

“Por kafshët shtëpiake robotike janë një shpatë me dy tehe,” paralajmëroi studiuesi.

Prej tyre mund të përfitojnë njerëzit që janë alergjik ndaj kafshëve, kanë shumë pak hapësirë në shtëpitë e tyre ose kanë frikë nga kafshët e vërteta, por etika mbi shoqëruesit robotikë ka probleme të mëdha që po vihen në pikëpyetje.

“Robotët munden, pa asnjë dyshim, të nxisin emocione te njeriu”, shtoi studiuesi Rault.

Nëse kafshët artificiale mund të prodhojnë të njëjtat përfitime si kafshët shtëpiake të vërteta, a do të thotë kjo se emocionet të cilat lindin mes nesh dhe kafshëve janë thjesht një imazh që i projektojmë vetë mbi ta?

Profesori mendon se duke u mësuar me kafshët robotike, të cilët nuk kanë nevojë as për t’u ushqyer apo për t’u kujdesur për to, njerëzit mund të ndryshojnë mënyrën e sjelljes me të tjerët, domethënë të bëhen më pak të ndjeshëm.

Kur inxhinierët punojnë me qentë robotikë, ata punojnë mbi inteligjencën sociale, ata zgjidhin nevojat që njerëzit kanë. Shoqëria, dashuria, varësia dhe mbarëvajtja janë disa nga gjërat që njerëzit kërkojnë te kafshët. Studiuesit janë shumë të interesuar të mësojnë çdo gjë rreth sjelljes së kafshëve, në mënyrë që ta kopjojnë atë sa më ngjashëm me një kafshë reale.

Po macet robotike? “Epo, kjo është pak më e vështirë sepse ato duhen të bëhen të paparashikueshme”, përfundoi ai.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: