Dhoma e apelit në Gjykatën e Posaçme në Hagë i uli të enjten për katër vjet Mustafës, një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili një vit me parë qe dënuar me 26 vjet heqje lirie nën akuzat për krime lufte.

Gjykata e Apelit në vendimin e tij hodhi poshtë kërkesat e mbrojtjes së zotit Mustafa për të hequr fajësinë për krimet e luftës që përfshijnë ndalimin arbitrar, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Vendimi u mirëprit nga kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara, Kimberly West, e cila përmes një deklarate tha se kjo është një fitore për drejtësinë.

“Mirëpres aktgjykimin e sotëm i cili, me gjithë ndryshimin e vogël të dënimit të z. Mustafa, përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre,” tha zonja West.

Salih Mustafa, u shpall fajtor me 16 dhjetor të vitit të kaluar nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi në Kosovë, ku prokurorët thonë se të burgosurit, kryesisht shqiptarë të Kosovës që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së, rriheshin dhe torturoheshin çdo ditë.

Trupi gjykues tha se Sali Mustafa ka marrë pjesë personalisht në rrahjen dhe torturimin e të paktën dy të burgosurve dhe i lejoi vartësit e tij të keqtrajtonin një tjetër aq rëndë sa ai vdiq më vonë.

Sipas akuzës, krimet dyshohet të jenë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash të komunës së Prishtinës.

Procesi kundër zotit Mustafa filloi në shtator të vitit 2021 në Gjykatën e Posaçme të Kosovës më seli në Hagë. Ai u arrestua në shtator të vitit 2020 nën akuzat për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, trajton pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të muajit prill nisi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarë të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Aktualisht po zhvillohet edhe procesi kundër ish pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Që të gjithë i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999. /VOA/

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb