(Recetë për 8 persona nga znj Katerina)
Përbërësit

4 patëllxhanë
4 speca për mbushje
5-6 domate të mëdha
1 fç pure domate +1 lç sheqer ose ½ fç purë + 1 lç piper të kuq speci
3-4 patate
2-3 kunguj
1-2 speca për skuqje
2 bustina koncentart pule/perimesh
5-6 qepë të thata
5-6 thelpinj hudhër
8 lugë supe oriz
1 filxhan vaj ulliri
1-2 gjethe dafine
Nenexhik, majdanoz

Përgatitja

Përgatisim perimet që do të mbushim. Pastrojmë specat nga pjesa e brendshme e farave. Patëllxhanëve u presim 2-3 shirita të holla nga pjesa e jashtme. I presim më pas në mes për së gjati dhe pastrojmë pjesën e brendshme. I vendosim patëllxhanët në një enë me ujë me pak kripë. 4 domatet i presim nga pjesa e majës si kapak dhe largojmë pjesën e brendshme të farave me një lugë.

Patatet dhe kungujt i presim në fetëza të holla.

Dy kokrra qepë i grijmë hollë, ndërsa 2 të tjera i presim në gjysmë rrathë.

Në një tigan hedhim 2 lugë vaj ulliri dhe kaurdisim lehtë qepën e grirë imët të zbutet me pak kripë dhe piper, shtojmë orizin dhe pjesën e domateve që hoqëm nga domatet për mbushje. Vazhdojmë kaurdisjen për 2-3 minuta dhe më pas shtojmë majdanoz dhe nenexhik. Me këtë masë mbushim domatet dhe specat të cilat i vendosim në një tavë të madhe.

Në tiganin ku përgatitëm mbushjen e specave shtojmë pak vaj ulliri dhe kaurdisim qepën në gjysmë rrathe me kripë dhe piper, shtojmë me pas hudhrat e grira imët, pak piper te kuq dhe ½ filxhan pure domate. Vendosim 1-2 gjethe dafine dhe e lemë derisa salca të marrë valë.

Në një tigan tjetër hedhim 1 lugë vaj ulliri dhe vendosim pjesën e brendshme të tulit të patëllxhanëve, i spërkasim me kripë, vendosim kapakun dhe i lemë të zbuten mirë. Më pas shtojmë salcën e përgatitur duke i hequr gjethet e dafines. I lemë 1-2 minuta të lidhen dhe më pas mbushim patëllxhanët të cilët i vendosim në tavën me perimet e tjera të mbushura. Në anë të çdo perimeje te mbushur vendosim fetëza patatesh dhe kungujsh.

Në përfundim të gatimit vendosim në blender 1 qepë, kripë, piper të zi, ½ filxhan vaj ulliri, 2 domate, ½ lç piper të kuq, 1 lç sheqer, purenë e domates dhe ½ filxhan ujë, koncentrat perimesh ose pule dhe erëzat e freskëta (nenexhik, majdanoz). I punojmë në blender dhe salcën që përgatitëm e hedhim në tavë mbi perimet e mbushura. E vendosim tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 200 gradë për rreth 1 orë.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb