Protagonist në disa ngjarje por duket se Jurgen Kurti luajti mbrëmë aktin e tij të fundit në filmin e jetës së tij. Shumë i ri, vetëm 26 vjeç por me disa role kryesore në CV-në e tij, tepër aktiv dhe i njohur jo vetëm për policinë.

Prej vitesh në botën e spektaklit dhe i njohur në rrokopujën e natës metropolitane, Jurgeni rrëmbeu vëmendjen së pari në vrasjen e babait të tij natën e 4 prillit 2016. Ai u akuzua por ishte daja i tij që pranoi krimin dhe i biri doli i pafajshëm. Deri diku ngjalli një lloj keqardhjeje dhe një simpati ndonëse në rrethana makabre, pas prezantimit të babait të tij si një njeri që kishte ushtruar dhunë vazhdimisht ndaj bashkëshortes. Pak muaj dhe ngjarja doli nga vëmendja.

Fiks një vit më pas, më 11 prill 2017, emri i Jurgen Kurtit u shfaq sërish në kronikën e zezë. Ai kishte qenë i pranishëm gjatë një sherri të vjehrrit të tij dhe xhaxhait të partneres me një tregtar, sherr që ishte mbyllur me vdekjen e tregtarit. Ndonëse familja e akuzoi si autor Jurgenin, atë kohë 24 vjeç, drejtësia e nxori të pafajshëm.

Për shumë muaj zhurma vazhdoi dhe gruaja e viktimës akuzonte vazhdimisht Jurgenin në prononcime në media si autor të vrasjes së burrit të saj dhe kërkonte drejtësi. Por më 19 prill 2017, vetëm 8 ditë pas ngjarjes Jurgeni foli për News24 me stafin e emisionit “Me zemër të hapur”. Ai refuzoi përballjen me Vjollca Arapin, gruan e viktimës, por i kërkoi ndjesë për gjithçka ka ndodhur.
“Kërkoj ndjesë për mungesën, ndjesën time përcilljani ju zonjës Vjollca. Hetimi po vazhdon, detyrën për ta zbardhur fatkeqësinë ia lëmë në dorë drejtësisë”, tha Kurti.

I menjëhershëm ishte reagimi në studion e emisionit “Me zemër të hapur” i Vjollca Arapit, e cila e ftoi të paraqitej në polici.
“Gimin ma ke vrarë ti Jurgen. Mos u shfajëso me kamera, me këto deklarata. Ti ma vrave, e tregojnë kamerat. Pse nuk more policinë Jurgen, kur Gimi ishte në tokë? Pse nuk e more të thoshe po vdes një njeri këtu? Por more makinën e ike…”, do të deklaronte bashkëshortja e viktimës atëherë. Sot Vjollca thotë se nuk donte vdekjen e tij por drejtësi për të shoqin dhe se ajo dhe fëmijët e saj nuk kanë lidhje me vrasjen e Jurgenit.

Rreth 2 vjet nga ngjarja e Durrësit, 3 vjet nga vrasja e babait Jurgen Kurti u ekzekutua në pritë. Nuk dihet se cili ishte mëkati që i mori jetën por policia dyshon për hakmarrje nisur dhe nga precedentët e mëparshëm. Me gjithë hetimet deri tani nuk dihet pothuajse asgjë për autorin apo autorët e vrasjes së tij. Ajo që dihet është rezultati tragjik, një 26-vjeçar i vrarë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb