Deputeti i Bundestagut gjerman, Josip Juratoviç ka deklaruar se Gjermania dhe BE-ja do të duhet “të ndërmarrin hapa më konkretë” pas raportit të dorëzuar nga OSBE-ja, lidhur me problemet me zgjedhjet në Serbi.

Në emisionin “Iza vesti” ai u shpreh se pavarësisht pretendimeve të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe opozitës se zgjedhjet janë vjedhur, ende nuk ka reagime zyrtare nga Bashkimi Evropian, nga shtetet anëtare, apo edhe nga SHBA.

“Mendoj se qëndrimi i të gjithëve është i qartë. Njerëzit janë ende me pushimet e fundvitit dhe seancat fillojnë këtë javë. Kështu është edhe me SPD-në, partinë në pushtet në Gjermani. Kjo do të jetë një nga temat që do të diskutohen. Ata që janë të vetëdijshëm për situatën në Serbi reaguan dhe u solidarizuan me forcat demokratike në Serbi. Të tjerat do të diskutohen në seanca dhe pas debatit do të ketë reagime”, tha Juratoviç.

Sipas tij, shumica e deputetëve të partisë në pushtet në Gjermani, ndajnë qëndrimin e tij për zgjedhjet në Serbi dhe shton se këtë qëndrim e ndajnë edhe deputetët e partive të tjera në Bundestagun gjerman.

“Proceset që ndodhën në Serbi gjatë zgjedhjeve janë të papranueshme për çdo demokrat në BE, SHBA dhe Kanada. Nuk mund të tolerohet dhe nuk mund të heshtim. Ndoshta jo të gjithë do të reagojnë fuqishëm ndaj gjithçkaje që ka ndodhur, por do të ketë pasoja për shkak të gjithë kësaj”, tha Juratoviç.

Ai siguron se procesi i nisur në parlamentin gjerman për zgjedhjet në Serbi do të vazhdojë dhe thekson se qëndrimi ka qenë i ndryshëm për një kohë të gjatë në krahasim me atë që ishte në kohën e ish-kancelares Angela Merkel.

“Disa gjëra thjesht nuk mund të tolerohen në Serbi në aspektin e demokracisë. Fakti që Vuçiç luan me ne nuk tolerohet prej kohësh. Nuk tolerohet të thuash një gjë dhe të bësh një tjetër. Në fakt të gjithë e dimë se çfarë bën, por u tolerua për një farë kohë. Nuk tolerohet më. Në zgjedhjet e fundit Serbia shkeli të gjitha rregullat demokratike që mund të shkeleshin dhe shkeli gjithçka që mund të shkelet në një sistem demokratik”, tha Juratoviç.

Ai nuk është përgjigjur drejtpërdrejt në pyetjen se a do ta njohë Gjermania Qeverinë e re të Serbisë, por theksoi se do të ketë pasoja për investime të mëtejshme të BE-së në këtë shtet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb