Para GJKKO ka dëshmuar edhe Veiz Muça, një prej dëshmitarëve të ngjarjes tragjike të ndodhur në Gërdec 15 vite më parë. Muça tregon se ka punuar si brigadier në depon e armëve në Gërdec nga viti 2007 deri në vitin 2008. Në dëshminë e tij, të siguruar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, ai dëshmon ndër të tjera se pasi është ka deklaruar se punonjësit janë të pakujdesshëm me hedhjen e predhave, është larguar nga ai pozicion pune.

Po ashtu ai thotë se zjarre të vogla ka pasur disa herë, por janë shuar me fikëse zjarri.

“Babëzia e ushtrisë për të sjellë sa më shumë municion dhe babëzia e punëtorë për të bërë sa më shumë punë për të arrit normën i shkelnin rregullat në punë”, thotë ai.

Dëshmia:

Kam mbaruar shkollën e mesme ushtarake në Zallherr. Kam punuar punë të ndryshme në ndërtim dhe në ushtri kam qenë tek këmbësoria. Në Gërdec kam punuar nga 12 Qeshori 2007-15 Mars 2008.

Në pune me ka marrë Dritan Minxolli, atë e njihja dhe i kam kërku punë. Ai më ka shjeguar çdo gjë. Aty mësova se bëhej demontimi i fishekëve. Delijorgjin nuk e njoh, e kam parë por ai s’ka pasur kontakt me mua. Fillimisht isha brigadier dhe kontrolloja punën e atyre që merreshin me shkarkimin e predhave. Por ata i hidhnin tutje dhe për këtë u zura me Dritanin. Pasi i thashë qe punëtorët nuk janë të kujdesshëm ai më shkarkoi nga aty dhe më dërgoi diku tjetër, po brigadier.

Aty vinin të gjitha llojet e artilerive, për predhat 100 mlm kishte një poligon ( blloku i betonit me vrima) pajisje tjera s’kishte. Zjarre të vogla ka pasur, por janë fikur me fikset e zjarrit. Kishte njerëz të tjerë që merreshin me ato punë. Në Gërdec ishte baruti i dy ditëve pasi nuk kishte vend në kontejner për ta vendos dhe nuk ishte dërguar as në fabrikë.  Ditën e ngjarjes iku Dritani përpara, dola dhe unë porosita rojen të mos fuste njëri brenda.

Ngjarja ndodhi kur sapo isha largu 200 metra më poshtë. Zjarri ka fillu aty ku bëhej demontimi. Baruti transportohej me karroca. Kur prisheshin karrocat i riparonte ai Delu e kishte shpinë aty afër. Sipas asaj që më kanë tregu punëtorët zjarri ka fillu tek një karrocë me barut.

Karroca i ishte prish djalit të atij Deliut. Ai e kishte dërgu në shtëpi dhe e kishte ngjit. Unë atë ditë nuk i kam dhënë leje askujt. Deliu i thoshte drejtorit Dritanit që i saldonte ai karrocat nga dy tre në ditë që dëmtoheshin. Dua të them diçka “babëzia e ushtrisë për të sjellë sa më shumë municion dhe babëzia e punëtorë për të bërë sa më shumë punë për të arrit normën i shkelnin rregullat në punë. Të më thuash sot që të shkosh të bësh atë punë sikur 1 milion në ditë të më japin nuk shkoj më.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb