Sekretari për Sigurinë Kombëtare dhe Koordinimin Euro-Atlantik, Xhemal Gjunkshi, ka reaguar për zjarrin e rënë në një pallat 10-katësh te Rruga e Kavajës në Tiranë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Gjunkshi shkruan se siguria e qytetarëve është në rrezik dhe se ngjarja mund të ishte kthyer në tragjedi për disa familje. Gjunkshi u ndal edhe te infrastruktura e pallateve të banimit në kryeqytet, ku thotë se siguria e komunitetit nuk ka lidhje vetëm me rendin por dhe me përballjen e fenomeneve natyrore dhe shkaqeve njerëzore si, zjarret, përmbytjet apo edhe tërmetet.

Postimi i plotë:

Siguria e jetës dhe e pronës së qytetarëve rrezikohet seriozisht nga zaptimi i çdo hapësire publike.

Flaket e mëdha që përfshinë sot  një pallat në Tiranë, mund të ishin kthyer në një tragjedi për disa familje. Falë Zotit gjithcka kaloi vetëm me pasoja të mëdha materiale. Së pari vlerësim dhe respekt për trupat zjarrfikëse për punën vetëmohuese, ku dy prej punonjësve patën dhe lëndime.

Por përtej lajmit, ngjarja është e rëndë dhe  duhet patjetër të ngjallë një reflektim të thellë dhe reagim të shpejtë  të strukturave të bashkisë dhe institucioneve përkatëse qendrore.  Kushtet e infrastrukturës që gjenden  shumë pallate banimi në Tiranë, janë më tepër se problematike. Distancat shumë të ngushta të ndërtesave me njëra tjetrën, mungesa e theksuar e rrugës së lirë për automjetet e shpëtimit, mungesa e mjeteve të sigurisë brenda pallatit, si dhe logjistikës specifike të zjarrfikëseve janë disa nga problemet më të dukshme, por çështja duhet trajtuar shumë më thellë. Siguria e komunitetit nuk ka lidhje vetëm me rendin por dhe me përballjen e fenomeneve natyrore dhe shkaqeve  njerëzore si, zjarret, përmbytjet, tërmetet etj. Dhe shteti ynë ka dëshmuar jo pak dështime në këtë drejtim. Shteti nuk është vetëm autoritet taksambledhës por mbi të gjitha garantues i jetës së qytetarëve të vet.

Theksoj dhe një herë se, është shumë e rëndësishme dhe çështje serioze zbardhja e rrethanave dhe vënia para përgjegjësisë të kujtdo që me veprime dhe mosveprime të mëparshme ka shkaktuar zjarrin e sotëm.

Lusim Zotin të mos përsëriten më incidente të tilla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb