NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit
4 fileto salmoni
1 kokërr limon
3 cm xhinxhër
1 thelpi hudhër
1 degë trumzë
1 degë rozmarinë
Vaj ulliri
1 kg patate

Për peston e rukolës:
1 tufë e vogël rukola
1 thelpi hudhër
50 ml vaj ulliri
30 gr stika pishe
1 ½ lgj parmixhano i grirë
Kripë, piper i zi
Pergatitja
Qërojmë patatet, i presim pak trashë në feta dhe i ziejmë për 9 minuta në ujë të vluar.

Presim xhinxhërën në feta të vogla dhe e vendosim në një tavë ku do të marinojmë peshkun. Po në këtë tavë grijmë pak lëkurë limoni, 1 thelpi hudhër e presim në feta të holla, grijmë rozmarinën dhe trumzën e freskët. Në fund shtojmë 3-4 lugë vaj ulliri dhe i përziejmë mirë dhe lyejmë filetot e salmonit. I rrotullojmë mirë në marinadë më pas e mbulojmë tavën me celefon dhe e lemë peshkun salmon të marinohet në frigorifer për 4-6 orë.

Pasi filetot e salmonit të jenë marinuar mirë i vendosim në një tavë ku kemi shtruar letër pjekje. Vendosim mbi çdo fileto salmon feta të holla me limon. Në pjesën anësore të tavës vendosim patate dhe e vemë në furrë në temperaturën 180 gradë Celsius për 20 minuta.

Ndërkohë që peshku dhe patatet piqen në furrë përgatisim peston me rukola. Në një mikser vendosim 1 thelpi hudhër, 30 gr stika pishe, 50 ml vaj ulliri, një dorë rukola dhe i kalojmë në mikser duke i kthyer në pure, më pas shtojmë djathin parmixhano, pak fare kripë dhe piper të zi dhe i kalojmë përsëri në mikser duke formuar kështu një salcë rukole.

Pasi nxjerrim peshkun nga furra e servirim atë me pak patate, hedhim mbi peshk pasi largojmë fetat e limonit 1 lugë pesto me rukola, sigurisht në anë të pjatës vendosim dhe pak sallatë me perime të freskëta.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb