“Të padukshmet” e Lara Prescott renditet si një nga botimet e reja në raftet e librarive, por edhe në bibliotekat tona. Autorja zbulon orvatjet e Boris Pasternak për të botuar të famshmin e tij “Doktor Zhivago”. Pse iu desh Pasternak gjithë ajo sfidë e mundimshme e çfarë e bëri kaq të vështirë pubikimin e këtij libri.

Trilleri e bën më tërheqës subjektin, kur në të futen paksa elemente të spiunazhit e një mister faktesh që pasojnë njëri-tjetrin. Aida Baro në komentin e saj për “Të padukshmet” thotë se është një libër mbi një histori të vërtetë që është mbajtur e fshehtë për njerëzit dhe personazhet flasin në vetën e parë duke rrëfyer historinë e tyre personale.

Sa i përket gjuhës e stilit të shkrimit të Prescott, Baro thotë se është një zhvillim shumë dinamik pasi të mban lidhur dhe përfundimi është gjithmonë një befasi. Propozimi tjetër është “Testamentet” i Margaret Artwood. Sipas Baros, ky libër është si një paralajmërim për atë që na pret, për teokracitë e diktaturat që mund të vendosen në çdo moment. Në faqet e këtij botimi ka kontraste të forta këndvështrimesh mbi koncepte a gjendje që ne i hasim në jetë.

“Është një libër që të vë përpara dilemash të forta morale, shpirtërore e zgjedhjeje”-veçon Baro, ndërsa kapërcejmë tek propozimi i tretë, “Dera” nga poeti Ndriçim Ademaj, që vjen në ribotimin e tretë.

Në një intervistë për “Vila24” ai zbërthen metaforën e derës në titull duke u shprehur se mund të lexohet si arratisje a rrugëdalje të esencës së jetës së tij vite më parë. Ai ka preferuar të mos i bëhet një redaktim vargjeve. Ndriçim Ademaj ka lindur në Prizren. Ai është autor i tri vëllimeve me poezi: “Kërkoj diellin” (2008), “Dera” (2011) “Këngë nga rruga e farkëtarëve” (2015); romanit “Pa heronj, pa bujë” (2017) dhe “Dera” (vjen në ribotim më 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb