Nga ANISA YMERI* TIRANE- Prej këtij 5 Janari, Ministria e Kulturës është zhvendosur në godinën e Ish-Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ në të cilën për muaj me radhë, u punua më intensitet për rikonstruksionin tërësor të saj. Në brendi, godina ka ruajtur sot autenticitetin e ndërtimit dhe fizionominë që ka pasur përpara së të shkatërrohej.

Ky rikonstruksion mësohet se i ka kushtuar fare pak shtetit shqiptar, pasi sipas arkitektit Artan Shkreli, ka qenë firma fituese për shndërrimin e mjediseve të ish-kinostudios në ‘Muze Filmi’ ajo që ka sponsorizuar edhe ndryshimet e nevojshme që kërkonte përshtatja e kësaj godine në zyra dhe mjedise për ministrinë e re të kulturës. Ka qenë një rikonstruksion dhe punime kryesisht me karakter kozmetik sipas arkitektit Shkreli që ajo të mund të ketë këtë dukje sot.

Investimi më i madh është bërë së jashtmi për fasadën, ndriçimin dhe mjedisin rreth, që mësohet se e ka financuar sërish kjo firmë, çka do të thotë së shndërrimi i godinës në ministri kulture nuk ka pasur kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Kompleksi qendror i Ish-Kinostudios u projektua nga një arkitekt rus dhe u ndërtua me ndihmën e Bashkimit Sovjetik. Punimet që filluan në vitin 1948, zgjatën mëse 4 vjet dhe përurimi i këtij kompleksi daton më 10 korrik të vitit 1952, ku domosdo kanë qenë të pranishëm udhëheqësit e Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha dhe Hysni Kapo. Asokohe, drejtues i ish-Kinostudios ishte Nesti Zoto.

Sot, në këtë kompleks ka gjithfarë institucionesh publike dhe private, ndër to edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Arkiv Qendror Shtetëror i Filmit, së voni Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe rishtas, Ministria e Kulturës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb