VLORË- Gjykata e Vlorës ka lënë në burg dy bashkëpunëtorët e vrasjes së biznesmenit Vasil Dervishaj.

Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se Gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e Nekid Arapit dhe Amarildo Grembit duke dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për ta.

Tre ditë pas vrasjes së biznesmenit Vasil Dervishaj, policia arrestoi dje një nga ekzekutuesit e dyshuar Armando Caushaj, 28 vjeç. Në kërkim është shpallur autori tjetër i dyshuar Ergest Avdiu, 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë.

Gjatë arrestimit të Caushaj janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 1 automjet tip “Audi” me targa AA830RA, dhe 1 palë targa të tjera (italiane) AH63435, (që dyshohet se janë përdorur në momentin e kryerjes së krimit),
– 1 xhup dhe 1 kapuç.

Një ditë pas krimit policia arrestoi dy bashkëpunëtorët që ndihmuan dy autorët e vrasjes të largoheshin pas krimit Nekid Arapi, 21 vjeç dhe Amarildo Grembi (Muka), 28 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Vrasja e biznesmenit, baba i një djali të vogël ndodhi pak para mesnatës së 5 qershorit tek ish-kombinati i peshkut në lagjen “Pavarësia”, ku Dervishaj u qëllua disa herë me armë nga dy persona ndërsa ndodhej në mjetin e tij tip “Ford” me targa italiane “OD 476 AF” me të cilën po udhëtonte.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb