DURRES- Ekstradimi i Nezar Seitit në janar të këtij viti, shkaktoi një debat të ashpër në politikën shqiptare. Institucionet pranuan se i cilësuari si financier i grupit kriminal “Habilaj” u dërgua në Itali në mënyrë të paligjshme, por nxituan ta kalonin topin sa në njërën dere tek tjetra, duke hequr përgjegjësinë nga vetja.

Për këtë çështje, prokuroria e Durrësit çeli një hetim penal që përfshiu të gjitha institucionet e drejtësisë, me qëllim identifikimin e zyrtarëve që shkelën ligjin duke lejuar ekstradimin e vlonjatit, ndaj të cilit gjykata për Krime të Rënda kishte caktuar një masë sigurie “arrest me burg”. Fakti që ai po hetohej në të njëjtën dosje me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, e bënte çështjen edhe me të ndjeshme.

Interesi për rezultatet e këtij hetimi, sikur ishte zbehur, por çështja u rikthye menjëherë në vëmendje pasi gjykata e Catanias mori vendimin për ta liruar Nezar Seitin, të cilin e çoi nen masën e arrestit në shtëpi me mbikëqyrje elektronike. News24 u interesua pranë prokurorisë së Durrësit dhe mësoi se hetimet për këtë çështje janë pushuar që në fund të qershorit.

Nga vendimin e pushimit thuhet se: janë konstatuar shkelje të kryera nga institucionet, por janë të një natyre që nuk përbëjnë vepër penale.

Në dosje vërehet se, parregullsitë e kryera nga zyrtarët e prokurorisë, gjykatës së Tiranës, dhe zyrave të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë në prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, janë të karakterit që mund të përbëjnë shkak për masa disiplinore ndaj, por nuk i ngarkojnë me përgjegjësi penale. Ky vendim i prokurorisë së Durrësit është miratuar edhe nga Gjykata.

Tashmë kur kjo çështja konsiderohet një histori e mbyllur për drejtësinë në vend, me mjaft interes priten vendimet që do të marrin institucionet e drejtësisë në Itali për Nezar Seitin.

Prokurorët në Shqipëri kanë afat deri në mes të tetorit për të vendosur për çështjen e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, ndaj të cilit rëndojnë dyshime për përfshirje në trafik droge në kuadër të grupit kriminal Habilaj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: