Një deklaratë e autorit të librit “Sarah”, Alfred Peza ka ngjallur reagimin e nipit të mbretit Ahmet Zogu.

Peza gjatë një bisede ku prezantoi librin e tij të fundit, ku personazhe janë Enver Hoxha, Ahmet Zogu dhe Sara Blloshmi, tha se Hoxha jo vetëm që donte të fejohej me motrën e mbretit, Maxhiden por edhe se kishte flirtuar me mbretëreshën Gerladinë.

Kjo gjë ka sjell reagimin e Skënder Zogut, i cili thotë se nuk ka asnjë të vërtetë sepse Enver as nuk e ka parë me sy Mbretëreshën. Zogu, i vetmi personazh i mbetur si dëshmitar, pjesë e Oborrit Mbretëror kur Ahmet Zogu ishte gjallë thotë më tej se libri është krejt përalla dhe iluzione, madje edhe mitomani.

“Libri krejt përralla dhe me shumë iluzione. Turp për një shkrimtar qe ofendon figurën e naltë të mbretneshës Geraldinë dhe e ulé veten tue i dhanë një “rëndes” figurës t’ Enverit. Nuk é ka asé njé te verteté. Enveri nuk e ka pa me sye Mbretneshën. Ai ishte një njeri pa kulturë dhe pa karakter. Nuk e ka pasur lidhje ase paké me familjen mbretnore. Njoftim për autorin: A e dini ju se Enveri kur u kethye nga Parisi në Tirana në vjetin 1936 ishte 28 vjeçar, pa një diplomë qualifikimi? Më shpjegoni si n’atë moshë ai do të kishte mundësi me hye në Pallatin Mbretnor… Mithomania!”, shkruan Skënder Zogu.

Edhe pak ditë pas botimit të librit “Sarah”, nipi i Ahmet Zogu drejtoi kritika të ashpra ndaj Alfred Pezës, duke iu referuar pjesës në libër ku flitet për përpjekjen e Enver Hoxhës për t’u fejuar me motrën e mbretit Maxhiden.
Vetë Peza është shprehur se po kërkohet të bëhen debate për të vërteta historike, por se libri i tij është një vepër artistike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb