Agjërimi në muajin e Ramazanit për besimtarët myslimanë është një nga pjesët më të rëndësishme. Organizmi pastrohet nga toksinat dhe humbja e mineraleve apo elekroliteve kërkon të balancohet me një ushqim të shëndetshëm. Diola Dosti, nutricioniste, në një bisedë në Skype me moderatoren Androniki Kolka, në “Vila 24” në “News24” veçon hurmat e Arabisë dhe shegët për vlerat që kanë në ditët e agjërimit.

Sipas Dostit, me ngrënien e hurmave dhe shegëve, agjëruesit marrin ato përbërës që nuk ia japin trupi gjatë agjërimit. Ajo tregon mbi një recetë nga Egjypti, ku 3-4 hurma Arabie zihen me qumësht e pihen çdo ditë e kështu trupi merr sheqerin e nevojshëm që përkthet në energji, fibra apo elektrolite që humbasin për shkak të ushqimit të kufizuar. Kombinimi i qumështit me hurmat nuk është i këshillueshëm për persona me diabet pasi ka sasi të madhe sheqeri. Njerëz që edhe gjatë Ramazanit vijojnë aktivitetin sportiv e kanë të nevojshëm marrjen e këtyre vlerave duke kujtuar se hurmat e Arabisë kanë vitaminën D, e rrallë për t’u gjendur në ushqime.

Hurma e shegë janë një Syfyr i shëndetshëm dhe rezistent, ndërsa Iftari për nutricionisten Diosti do ishte një gatim në gjellë, diçka e lëngshme shoqëruar me sallatë. Më tej ajo vëren se çdo vakt duhet të nisë me një gotë ujë në mënyrë që organizmi ta ketë më të lehtë. Sa u përket ushqimeve që Diosti nuk i rekomandon gjatë Ramazanit janë: mishi i kuq, karbohidratet nga makaronat e bardha, duke sugjeruar zëvendësimin e tyre me përbërje me bazë integrale, shmangien e pijeve me gaz e sheqer si edhe brumërat. Duke kërkuar të bëhet kujdes me agjërimin, Diosti thotë për “News24” se ka disa individë që nuk mund të agjërojnë si ata me sëmundje të caktuara, por kjo mund të vendoset vetëm nga mjeku.

Po ashtu ajo ka një sugjerim edhe shpjegim për gratë shtatzëna të cilat duhet të këshillohen me mjekun, pasi fetusi ka nevojë të marrë vlera ushqimore. Sa i përket personave që agjërojnë për herë të parë, nisur dhe nga përvojat e saj personale, Dosti thotë se nuk duhet të shqetësohen për dhimbjet e kokës ditët e para, pasi është tregues se organizmi po eleminon toksinat dhe po nis përshtatjen me regjimin e ri të të ushqyerit. Gjatë bisedës, nutricionistja tregon dy “teste” të vogla si të kuptojmë se se jemi të dehidratuar gjatë agjërimit: i pari përmes ngjyrës së urinës në mëngjes.

Nëse ngjyra është e verdhë e theksuar, atëherë trupi ka nevojë për lëngje, nëse ngjyra është e verdhë normale, organizmi është duke funksionuar në rregull. Prova e dytë bëhet përmes tërheqjes së lëkurës, nëse ajo shkon menjëherë në vend, hidratimi është në norma të kënaqshme. Ky muaj i Ramazanit, është muaj sakrifice dhe rezervimi ndaj ushqimit është mëse i natyrshëm, e rëndësishme është të merren përbërësit e nevojshëm për ta kaluar sa më lehtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb