SHBA-Uragani Irma ka mbërritur në Florida, duke goditur Key West me erëra 215 km/orë, duke sjellë ndërprerjen e energjisë elektrike për 3.4 milion banesa rreth 36 milion njerëz në total.

127 mijë njerëz kanë gjetur strehim në 500 qendrat e ngritura nga autoritetet. Tani uragani është spostuar drejt brigjeve perëndimore të Floridës, por sipas National Hurricane Center Usa, Irma e ka ulur intensitetin, duke zbritur në kategorinë 1, me erëra deri në 135/km/orë.

Në shumë zona është shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe janë shënuar viktimat e para.
Në mbrëmje presidenti Trump ka deklaruar se ‘situata është katastrofike’, në Florida. Një burrë ka humbur jetën në Monroe, në Key West, pasi humbi kontrollin e kamionit që drejtonte, teksa transportonte një gjenerator, për shkak të erës së fortë.
Dy të tjerë vdiqën në një aksident automobilistik në Hardee, rreth 60 milje nga Sarasota. Ndërkohë stuhia ka kaluar në Miami ku janë regjistruar përmbytje të mëdha. Katër të vdekur në pjesën holandeze të Saint-Martin, një ishull rreth 240 km nga Porto Rico.
‘Bëhet fjalë për një situatë ekstremisht të rrezikshme dhe vdekjeprurëse’, ka deklaruar në mëngjes qendra meteorologjike e Key West, duke urdhëruar të gjithë ato që nuk janë evakuuar ende ta bëjnë për të shpëtuar jetën e tyre’.
Në Twitter qendra e motit të Key West ka dhënë edhe disa këshilla praktike.
Uragani Irma ka sjellë probleme edhe në gjysmën e trafikut ajror ku rreth 10.700 fluturime janë ndërprerë, 7400 vetëm në Florida.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: