Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, deklaroi më 12 tetor se Serbia dhe Kosova përfundimisht do të duhet të arrijnë në një zgjidhje politike për këdo që konfirmohet të jetë përgjegjës për ngjarjet në Banjskë, në veri të Kosovës.

“Tani ne kemi një problem që duhet zgjidhur. Kushdo që është përgjegjës për të, ne do të duhet të kemi një zgjidhje politike, do të duhet të ulemi dhe të kuptojmë se çfarë është e drejtë”, tha Hill, duke folur në Konferencën e Sigurisë të Beogradit (BSC).

Ai tha se kjo zgjidhje nënkupton “një lloj statusi” për serbët në Kosovë, dhe në anën tjetër, “ndërkombëtarizim më të madh” për Kosovën.

Hill tha se ai “do të donte që Serbia të kuptojë dhe të njohë se Kosova është një shtet i pavarur”, por problemi është “më kompleks se kaq”.

“Ne duhet të inkurajojmë të dyja palët që të dëgjojnë njëra-tjetrën”, tha Hill.

Ai shtoi se hapi i parë në zgjidhjen e krizës aktuale është të kuptohet se çfarë ndodhi.

“Së pari, ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodhi, dhe t’i mbajmë përgjegjësit përgjegjës, pastaj të sigurohemi që diçka e tillë të mos ndodhë më”, tha Hill.

Në një sulm ndaj policisë së Kosovës, më 24 shtator, në Banjskë të Zvecanit, mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Në sulmin ndaj policisë janë vrarë edhe tre sulmues, ndërsa në dhe rreth manastirit të Banjskës është gjetur një arsenal i madh armësh.

Qeveria në Kosovë akuzon Serbinë për këtë incident, ndërsa Beogradi zyrtar mohon përfshirjen.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit publikisht e kishte marrë Milan Radoiçiç, në atë kohë nënkryetar i partisë serbe të Kosovës, Listës Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, kryetar i së cilës ishte presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deri vonë.

Radoiçiç më pas dha dorëheqjen nga posti partiak.

Institucionet e Kosovës dhe Serbisë po kryejnë hetime të ndara.

Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore dënuan ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, dhe kërkuan që sulmuesit të gjenden dhe të sillen para drejtësisë./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb