Nga: ZONJA KATERINA

Për marengën:

5 të bardha veze,150 gr sheqer, 150 gr sheqer pluhur, 1 bustinë vanilje

Për mbushjen:

300 gr pana pastiçerie, 250 gr krem djathi, 100-150 gr sheqer, 500 gr luleshtrydhe, 2 lgj uthull balsamike, 1 bustinë vanilje

Për marengën ena duhet të jetë e thatë si dhe vezët duhet ti ndajmë mirë nga e verdha që tek pjesa e bardhë të mos ketë asnjë pikë të verdhë veze. Vendosim të bardhat e vezëve në një enë qelqi ose inoksi, shtojmë sheqerin, një majë luge kripë ose 2-3 pika limon apo uthull. Fillojmë trazimin me mikser duke e punuar shumë mirë marengën derisa të rrisë vëllimin dhe të bëhet një masë e qëndrueshme. Shtojmë më pas vaniljen dhe sheqerin pluhur dhe vazhdojmë trazimin.

Nëse duam të bëjmë marenga – mafishe të vogla e hedhim masën e përgatitur në qeskë pastiçerie dhe realizojmë forma të vogla të cilat i vendosim në një tavë ku kemi shtruar një letër kalk guzhine. Nëse marengën duam ta bëjmë në një formë të vetme të madhe, marrim përsëri një tavë me letër kuzhine dhe nga lart në qendër të tavës hedhim masën e përgatitur duke i dhënë një formë të rrumbullakët me diametër 22-24 cm. E vendosim më pas marengën në furrë të parangrohur në temperaturën 110 gradë Celsius për 2 orë e 30 minuta.
Ndërkohë përgatisim mbushjen e ëmbëlsirës. Rrahim panën derisa të rrisë vëllimin dhe më pas shtojmë kremin e djathit duke e përzier mirë.

Luleshtrydhet i presim në mes ose nëse janë të mëdha i presim me shume. I hedhim në një enë duke shtuar sheqerin, uthullën dhe vaniljen. I vendosim më pas luleshtrydhet në frigorifer për 2-3 ore. Sipas dëshirës mund të shtojmë për aromë gjethe borziloku, barbaroze ose cipë limoni. Pasi marenga të jetë gati e vendosim në një pjatancë. Vendosim lartë mbushjen e përgatitur me pana dhe më pas shtojmë luleshtrydhet e aromatizuara (së bashku me lëngjet që kanë nxjerrë gjatë marinimit) duke e zbukuruar dhe duke i dhënë ëmbëlsirës formën e një torte.
(er.cu/vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb