Vrasja e Arjan Spahiut, i njohur si Arjani i Vogël në Molenbeek, sjell për të dytën herë në Shqipëri një grup prokurorësh belgë. Në vizitën e parë prokurorët e huaj, morën në pyetje, Erjon Alibej, i cili konsiderohet si kreu i një grupi kriminal që ka urdhëruar vrasjen e dy personave në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Endrit Alibej, në masakrën e Bradasheshit dhjetorin e 2018.

Ndër të tjera, Alibej, iu ka pohuar hetuesve belgë se ka dyshime qe pas vrasjes së vëllait fshihet grupi kriminal i drejtuar nga Franc Çopja. Ai thotë se ishte Arjan Spahiu, me të cilin kishte lidhje krushqie, që kishte siguruar informacion dhe të dhëna për vrasësit e vëllait të tij dhe pas kësaj ai u ekzekutua në Belgjikë.

Burime nga prokuroria e Elbasanit bënë me dije, se belgët kanë marrë kontakt me ta dhe kanë kërkuar informacion në lidhje me këto dy grupe kriminale, të cilët u përplasën për trafikun e kokainës. Ndërsa më herët përmes një letërporosie kanë kërkuar pyetjen e disa personave që kanë dijeni për vrasjet e ndodhura si pasojë e përplasjes së grupeve rivale që zanafillën e ka nga zhdukja e një sasie kokaine në Britaninë e Madhe.

Prej asaj kohe janë ekzekutuar të paktën 10 persona nga të dyja grupet. Aktualisht Erjon Alibej ndodhet në burg dhe po përballet me drejtësinë për vrasjen e Emiljano Ramazanit e Regis Runaj. Ndërsa nga kundërshtarët e tij ende nuk ka asnjë të arrestuar. Në kërkim si i dyshuar për vrasjen e Endrit Alibej, xhaxhait të tij Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk, është shpallur shpallur Mikael Kamami alias Qose, i cili mendohet se fshihet në Dubai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb