Avokati i Popullit, Endri Shabani ka bërë me dije se institucionet janë gjetur të papërgatitura në lidhje me zjarrin që ra pak ditë më parë në pallatin pranë QSUT.
Ai u shpreh se nga hetimi paraprak i kryer mbi ngjarjen, ka rezultuar se ka pasur problematika sa i përket pushtetit vendor.
Shabani ka njoftuar gjithashtu se mbi ngjarjen është ngritur një Task Forcë, për hetimin e sigurisë së banesave në kryeqytet.
“Zjarri i rënë zbuloi se institucionet janë të papërgatitura. Nga hetimi paraprak i yni kemi konstatuar probleme me pushtetin vendor. Kemi ngritur një Task Forcë për të hetuar sigurinë e banesave në kryeqytet. I kemi bërë thirrje Bashkisë Tiranë që menjëherë të strehojë banorët përmes programeve të strehimin social”, tha ai.
Shabani ka prezantuar raportit sa i përket vitit 2025.
Sipas raportit qytetarët ankohen më shumë për Kadastrën, ndërsa ende nuk janë shpërndarë dëmshpërblimet për përmbytjet e vitit 2010.
Problematika sipas tij janë evidentuar edhe në sistemin e drejtësisë, pasi qytetarët presin mesatarisht 4 vjet për një vendim gjyqësor ndërsa burgjet janë të mbipopulluar.
“Shqetësues është edhe trajtimi i të miturve në protesta. Ata janë pyetur në komisariate pa praninë e prindërve”, tha Avokat i Popullit, ndërsa ka evidentuar se shërbimet në administratë, janë bërë më të vështira prej digjitalizimit.
