Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria e tij ka pasur një vullnet të palëkundur për reformën në drejtësi dhe për të vendosur barazinë para ligjit, një standard që sipas tij, shqiptarët nuk e kanë njohur më parë.

Gjatë një bashkëbisedimi në serinë “Sy m’sy”, Rama theksoi se sot nuk ka rëndësi mbiemri apo pozita, pasi kushdo që përballet me drejtësinë është i barabartë përpara saj.

Ai rikujtoi momentet e së shkuarës, ku drejtësia pengohej politikisht dhe ironizoi kreun e PD Sali Berisha edhe Lulzim Bashën për qëndrimin kundër reformës në drejtësi në kohën e protestës me çadër.

“Kishim vullnet absolut për të sjellë barazinë para ligjit që kurrë shqiptarët nuk e kanë pasur.
Nuk ka rëndësi si quhesh apo mbiemri yt është i njohur apo jo, nëse drejtësia të troket në derë je i barabartë me të tjerë. Kur ka ndodhur kjo më parë? Kur në kohën e bufit kur vriteshin qytetarë poshtë kësaj dritareje, apo kur prokuroja që tentonte të thërriste për të marrë në pyetje drejtuesit e forcave të rendit pagëzohej si “Lavire Bulevardi” dhe forcërisht pengohej prokuroria të merrte dikë në pyetje. Ky është një realitet një dekadë më parë. Ky që ka bërë këto ju thotë sot eja ta bëjmë Shqipërinë madhështore.
Luli më këndonte hymnin këtu poshtë nga çadra sepse nuk donte reformën në drejtësi”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb