GJIROKASTËR

Identifikohen dy viktimat e fundit të aksidentit tragjik të ndodhur pasditen e sotme në Qafë Muzinë. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se në furgonin që ra në greminë ishte dhe një çift nga Ukraina.

Bëhet fjalë për shtetasit Olesander dhe Tetiana Fediaieva, 53 dhe 48 vjeç. Ndërkohë, më herët u identifikuan edhe tre viktimat e tjera të aksidentit tragjik, përkatësisht shoferi i mjetit, Bardhi Proda, dhe çifti i bashkëshortëve, Fiqiri e Dritë Korçari. Nga furgoni u nxor e gjallë shtetasja Greta Kaberdini, 25 vjeçe, e cila ndodhet në Spitalin e Gjirokastrës, jashtë rrezikut për jetën.

Shkak i aksidentit tragjik ka qenë parakalimi i gabuar i mjetit “Land Rover”, i cili është futur me shpejtësi në kthesë. Nga mjeti “Land Rover” janë lënduar lehtë drejtuesja e mjetit, 22-vjeçarja Rexhina Çelhaka, banuese në Tiranë, si dhe dy shtetase italiane, ndërsa mësohet se 22-vjeçarja e kishte marrë mjetin me qira.

Informacion shtesë:

Informacion shtesë mbi aksidentin e ndodhur në rugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, ku në vendin e quajtur Muzinë, mjeti tip “Land Rover” me drejtuese shtetasen R. Ç., 22 vjeçe, banuese në Tiranë, është përplasur me mjetin tip furgon me drejtues shtetasin B. P., 51 vjeç banues në Sarandë.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën drejtuesi i furgonit shtetasi B. P., pasagjerët F. K., 77 vjeç, banues në Tiranë, D. K., 72 vjeçe, banuese në Tiranë,
T. F., 48 vjeçe, banuese në Ukrahinë dhe O. F., 53 vjeç, banues në Ukrahinë.

Gjithashtu kanë mbetur të dëmtuara shtetaset G. D., 25 vjeçe, banuese në Tiranë(pasagjere në mjetin tip furgon), R. Ç.(drejtuese Land Rover), A. K., 23 vjeçe dhe G. P., 22 vjeçe, banuese në Itali(pasagjere në Land Rover).

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb