Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje sot emigrantëve në Itali që të kthehen në Atdhe dhe të kontribuojnë për ta çuar më shpejt Shqipërinë aty ku duhet të jetë. Ai tha se koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur, ndërsa ftoi diasporën që të vijë dhe të investojë këtu kursimet nga emigracioni, por të vënë në zbatim edhe dijet e tyre.

Në fjalimin e tij, Rama u ndal tek marrëveshja pë pensionet e arritur me qeverinë “Meloni”, duke mos harruar të “thumbojë” edhe opozitën vendase në lidhje me akuzat për largimin e shqiptarëve nga vendi, apo deklaratat mbi tubimin e organizuar në Greqi ku opozita pretendoi se kreu i PS mori me vete autobusa me njerëz për të mbushur stadiumin.

“Kemi shumë punë për të bërë, por pikërisht sepse është e tillë ka edhe shumë mundësi për këdo që kthehet me dijet, eksperiencën, kursimet e veta e duke pas mësuar guximin do fitojë për veten e familjen më shumë se ata që ngurojnë, sepse shpirti ua do, por presin që ta gjejnë gati.

Ai që do të kthehet më shpejt do këtë më shumë paqe për shpirtin e ndarë në dysh. Koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur. Vetëm ne mund ta bëjmë këtë kohë si ajo që do shënjohet në histori, koha e bashkimit përfundimtar me familjen europiane”, tha ai.

 

Fjalimi i Ramës para mijëra përfaqësuesve të diasporës shqiptare zgjati rreth 1 orë e 10 minuta. Kryeministri për marrëveshjen e pensioneve me Italinë nga e cila përfitojnë 421 mijë shqiptarë të cilët jetojnë në vendin fqinj përtej Adriatikut. Marrëveshje e cila sipas Ramës u arrit të bëhej realitet falë angazhimit personal të kryeministres italiane, Giorgia Meloni. Detajet e takimit të Ramës me diasporën shqiptare në Itali i përcolli drejtpërdrejt nga Milano gazetari i News24, Ergys Gjençaj.

 

Jo pa vëmendje kaloi edhe incidenti që u regjistrua në shkallët e stadiumit ku u zhvillua takimi i kryeministrit. Disa aktivistë shpalosën një banderolë “Dua të votoj 2025” dhe lëshuan thirrje për votën e emigrantëve vitin e ardhshëm. Ata u konfrontuan fizikisht me simpatizantët e kryeministrit, ndërsa më pas u nxorën jashtë nga forcat e sigurisë.

Takimi i kryeministrit Edi Rama në Milano mblodhi shqiptarët e diasporës nga e gjithë Italia. Turi i kreut të qeverisë do të vijojë me Londrën në datën 2 qershor. Ndërsa pas Londrës, është radha e diasporës së Mynihut në Gjermani që do të presë kryeministrin gjatë muajit qershor në këtë tur të takimeve me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: