Drejtoresha e shkollës së mesme nga fshati në fshatin Stravaj të Përrenjasit, zonja Flutura Haka i ka drejtuar një letër emisionit “ Shqiptarët për Shqiptarët”. Eneida e lexoi letrën e drejtoreshës në studio.

Letra e drejtoreshës: “Po ju drejtohem juve që keni kryer misione të mëdha, që shkoni në çdo familje shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e që bëni të pamundurën, për të zgjidhur problemet e hallet, e njerëzve të thjeshtë, që kërkojnë ndihmë tek ju. Ndihmë do t’ju kërkoj edhe unë, jo për veten e as për familjen time, por për një ish nxënëse të shkollës, dhimbja e së cilës është bërë edhe dhimbja jonë. Ajo është një vajzë e urtë dhe e edukuar. Ka një emër po aq të bukur sa është edhe vetë: Ketiana Bardho.

Në çdo ditë të jetës së saj, Ketiana, gdhihet e ngryset në sfilitjet që ia dikton sëmundja e rëndë. Ka lindur me një defekt në shtyllën kurrizore, që nuk i jep mundësi të jetojë si gjithë shoqet e saj. E ndërsa ajo rritet, sëmundja po avancon, aq sa sot që po ju shkruaj shtylla e saj kurrizore është deformuar shumë. Po ju përcjell lutjen, thirrjen time, të të gjithë mësuesve të shkollës si dhe të të gjithë shokëve e shoqeve të Ketianës: “Ndihmojeni vajzën e ëmbël të fshatit tonë. Operacioni që vetëm ju mund ta mundësoni, do t’i shpëtojë jetën dhe kjo është dëshira por edhe meraku ynë më i madh. Ketiana ka ëndrra. Më ka thënë se ka qejf të vazhdojë studimet në fakultet e të bëhet mësuese.
Ketiana po vuan e lotët e saj nuk do të thahen dot, derisa ju do të trokisni në derën e saj. Unë besoj shumë se ju do të trokisni një ditë, në derën e Ketianës! Me sytë nga Zoti dhe shpresat tek ju. Përzemërsisht drejtoresha e shkollës, Flutura Haka.”, -përfundon letrën drejtoresha e shkollës së mesme në fshatin Stravaj të Përrenjasit. “Shqiptarët për shqiptarët” trokitën në derën e Ketianës. Gjetëm dy prindër të këputur nga pamundësia, që kanë humbur çdo shpresë për shpëtim sa nuk ju besohet kur stafi i emisionit u mbërriti në derën e tyre. “Në vitin 2009 iu shfaq, e dërguam tek spitali ushtarak, në Maqedoni mjeku nuk e mori përsipër, më tha mjeku këtu se vajza rrezikon vdekjen, më dhimbset aq shumë vajza. Me asistencë rrojmë, pa punë jemi, fëmijën e kemi sëmurë, punë kam kërkuar nuk më kanë dhënë. Operacioni kushton 20.000 euro, kredi nuk më japin, tokën nuk e blen njeri, të heq veshkën më mirë” thotë i ati.

“Unë jam e shqetësuar si nënë, e shikoj ashtu shtrirë, ajo vetëm mënjanë rri shtrirë, as bukë nuk ha. Thotë kot që rroj. Ne të ardhura nuk kemi mezi ja dalim edhe për të siguruar bukën e gojës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb