Gjergj Buxhuku, kreu i Konfindustria-s, vendimin e qeverisë për rritjen e pagave e shikon si rrezik për kthimin në gërmadhë të financave dhe ekonomisë së vendit.

Buxhuku thotë për gazetën “Panorama” se nisma qeveritare nuk është e përllogaritur mirë profesionalisht dhe se nuk ka asnjë shpjegim, sesi do të bëhet e mundur rritja e pagave, cilat do të jenë burimet, pasojat buxhetore, inflacioni etj.

Ai hedh dyshime për momentin e zgjedhur nga qeveria për rritjen e pagave pak para zgjedhjeve lokale duke cenuar standardin e zgjedhjeve të 14 majit, ndërkohë që Kryeministri Rama sipas tij i ka vënë të gjithë para faktit të kryer.

Gjergj Buxhuku apelon qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama se po godet seriozitetin e shtetit shqiptar duke bërë të fortin me vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar, ndërkohë që po i shton me shumë kosto jo vetëm financiare. Çështjen “Becchetti” ai e sheh të ngjashme me sulmin ndaj “Hysenbelliu grup”. Gjergj Buxhuku përmend se “pretendimet e palëve të treta ndaj Shqipërisë në gjykata ndërkombëtare janë në vlerën e frikshme të 600 milionë eurove”.

Z.Buxhuku, si e konsideroni skemën e re të pagave në sektorin publik, e cila parashikohet të zbatohet në dy faza, brenda vitit të ardhshëm? Cili është burimi financiar për këtë rritje, ndërkohë që Shqipëria ka një borxh prej 600 milionë eurosh?

E kam të pamundur t’i jap përgjigje pyetjes. Pamundësia vjen nga fakti se përveç një zotimi publik të shpallur nga ana e Kryeministrit për rritjen e pagës mesatare për sektorin publik në 900 euro/muaj brenda vitit, pra, pothuaj dyfishim nga niveli i sotëm, nuk kemi asnjë arsyetim shoqërues institucional. Dmth deri tani nuk ka asnjë shpjegim sesi do të bëhet e mundur rritja e pagave, cilat do të jenë burimet, pasojat buxhetore, inflacioni etj. Në mungesë të arsyetimeve të mësipërme nuk jam në gjendje të ndaj dot nëse është dëshirë, mundësi apo thjesht premtim parazgjedhor i qeverisë nisma në fjalë. Çka bie menjëherë në sy është se pikërisht për një nga vendimet më të rëndësishme të qeverisjes në demokraci, ekonominë e tregut me pasoja në afatgjatë në mirëqenien e qytetarëve, gjithçka ndodh krejt papritur.

Pa debate, pa projekte, pa kaluar në oponencë institucionale. Aq më shumë në periudha zgjedhore. Për hir të së vërtetës, mënyra të tilla veprimi të qeverisjes nuk bëjnë përshtypje në Shqipëri. Janë të zakonshme. Janë rrjedhojë dhe vërtetimi i radhës, që në Shqipëri fatkeqësisht sistemi demokratik është vetëm në letra. Por, edhe vënë në dyshim seriozitetin e vetë nismave qeveritare. Në këto kushte na mbetet vetëm të flasim parimisht. Por, një gjë dua ta ndaj. Kemi të bëjmë me një rast, që nëse nuk është i përllogaritur mirë profesionalisht, rrezikon deri në kthimin në gërmadhë të financave dhe ekonomisë së vendit. Uroj dhe shpresoj, që të mos jetë marrë, duke i rënë shkurt “pas meje, qameti u bëftë”!

A është e mundur rritja reale e pagave pa pasoja anësore, aq më shumë në një afat kohor kaq të shpejtë 1-vjeçar?

Nëse më pyesni parimisht për domosdoshmërinë e rritjes së pagave në Shqipëri, përgjigjja ime është Po. Është domosdoshmëri dhe duhet sa më e shpejtë. Nëse do më pyesni për mundësitë vendit në burime natyrore, financiare, njerëzore, gjeostrategjike etj. të rritjes së pagave, përgjigjja është përsëri po. Nëse do më pyesnit nëse struktura e sotme e ekonomisë shqiptare e lidhur edhe me politikat qeverisëse të deritashme e bëjnë të mundur rritjen reale të pagave pa pasoja anësore, aq më shumë në një afat kohor kaq të shpejtë 1- vjeçar, përgjigjja do të ishte Jo.

Të kuptohemi, e kam fjalën për rritje reale pagash me ndikim në rritje të prekshme të mirëqenies për qytetarët. Pagat mund të rriten në mënyrë nominale, por nëse inflacioni dhe çmimet, sidomos të shportës, rriten paralelisht, jo vetëm nuk kemi arritur asgjë në interes publik, por edhe rrezikojmë shumë. Sepse, teorikisht në vende me demokraci jo të qenësishme, ku pavarësia institucionale është thjesht në letër, rritja nominale e pagave mund të bëhet edhe në kushtet e shtimit ta paarsyetuar të parave nga Bankat Qendrore. Por, nuk dua as ta mendoj, se mund të arrijmë deri këtu. Parapëlqej që më mirë të mbetej thjesht një premtim qeveritar i pambajtur zgjedhor.

Banka e Shqipërisë nuk është shprehur deri më tash për nismën e qeverisë. Si e vlerësoni?

Heshtja e deritashme e Bankës së Shqipërisë për nismën qeveritare të rritjes së pagave që lidhet drejtpërdrejt me mbajtjen nën kontroll të inflacionit, si detyra kryesore e saj, më shqetëson shumë. Mos harrojmë, se jemi në kushtet në zhvillim e sipër të betejës kundër inflacionit të lartë të sotëm të raportuar zyrtarisht në afër 8%, por shumë më të lartë nëse kemi parasysh çmimet e shportës bazë, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve dhe shtresave në nevojë. Kuptohet se çfarë do të thotë rritje e mëtejshme e inflacionit si pasojë e nismave qeveritare për rritje pagash.

Rasti ndërlikohet edhe më shumë kur kihet parasysh, se borxhi publik, megjithë detyrimet ndaj koncesioneve të tipit PPP, e tejkalon qartësisht 100% të PPB. Pa përmendur këtu edhe detyrimet qindra-milionëshe të dënimeve të dhëna dhe në pritje të arbitrazhit dhe gjykatave ndërkombëtare, etj. Banka e Shqipërisë duhet detyrimisht të mbajë qëndrim institucional për nismën e fundit të qeverisë. Qëndrimi do të ishte me vlerë, qoftë edhe për të kuptuar dhe provuar edhe njëherë tjetër për (pa)varësinë e saj, për të cilën paguajnë shqiptarët.

Cili do të ishte një skenar për rritje të arsyetuar dhe të qëndrueshme të pagave në realitetin shqiptar?

Pagat në ekonominë e tregut në parim nuk rriten me urdhër qeveritar, por mbi shkallën e ‘produktivitetit’ dhe kërkesë-ofertë të tregut. Ndërkohë, brenda më pak se një viti qeveria ndërhyn në mënyrë të njëanshme duke rritur pagën minimale me urdhër. Vetëm në vendimin e muajit mars 2023, paga u rrit me afër 18%, përfshi sektorin privat. Ngarkesa me rritje të drejtpërdrejtë dhe të papritura kostosh, shkon dhe ndihet shumë sidomos te disa biznese, veçanërisht të ndjeshëm dhe që punësojnë një numër të madh si manifaktura, bujqësia dhe shërbimet me mbi 100 mijë të punësuar. Ata duhet të ndryshojnë kontrata pune aktive, mbi të cilat janë mbështetur vetë planet e tyre të biznesit.

Të presim se cilat do të jenë pasojat në vazhdimësi. Natyrshëm nuk do të jenë të lehta për bizneset e prekura, sidomos për industritë eksportuese, që kanë çmime të fiksuara shitje. Në rastin e administratës publike natyrshëm është plotësisht e mundur që qeveria të marrë vendim për rritje. Por edhe në këtë rast, vetëm pasi të shpjegojë fillimisht për mundësitë, burimet dhe pasojat të lidhura me interesin publik dhe zhvillimin afatgjatë të vendit. Gjë që nuk u bë! Personalisht dhe në mënyrë ‘apriori’, duke parë shkallën e ulët të efektivitetit të investimeve buxhetore me PPP, koncesione dhe prokurime si dhe profesionalizmin e dobët të institucioneve qeveritare mendoj, që mund të ishte më mirë të rriteshin pagat e administratës publike, sesa të shpenzohen për investime joefektive. Me shpresën që do rritej mundësia për tërheqje profesionistësh në administratë dhe jo thjesht shtim militantësh dhe votash zgjedhore.

Por, gjithçka bëhet e paqëndrueshme nëse fillimisht nuk ndryshojnë politikat ekonomike të sotme ku mbizotërojnë monopolet, PPP, koncesionet të burimeve natyrore dhe financiare klienteliste, korrupsioni i tipit’state capture/kapje e shtetit’ dhe mungesa e llogaridhënies institucionale. Shkurt, duhet, që burimet e zhvillimit të riorientohen drejt krijimit të vlerës së shtuar të prodhimeve dhe shërbimeve vendore. Sa më sipër do të sillte natyrshëm rritje të produktivitetit dhe bërje të mundur rritjen e arsyeshme dhe mbi të gjitha të qëndrueshme dhe reale të pagave dhe mirëqenies së qytetarëve pa dallim në sektorin publik dhe privat. Por, për sa më sipër duhet vullnet i madh shtetformues, që sot nuk duket as në horizont dhe nga pothuajse të gjithë lojtarët e tregut politik.

A mund të rriten pagat në prag të zgjedhjeve lokale? A është kjo sfidë e hapur e Kryeministrit Edi Rama ndaj Kodit Zgjedhor në prag të fushatës elektorale?

Si në rastin e Bankës Kombëtare, që duhet të shprehë detyrimisht qëndrimin e saj ndaj vendimit të qeverisë për rritjen e pagave nga këndvështrimi i inflacionit dhe qëndrueshmërisë makrofinanciare, ashtu edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i pavarur në letër, duhet të shprehet për vendimin në fjalë, nëse i prek standardet zgjedhore. Pa paragjykuar të presim vendimin e (pa)varësisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por mendoj se lëvizja politike dhe mediatike e qeverisë është bërë e tillë në kohë dhe thelb, që i ka vënë të gjithë para faktit të kryer. D.m.th., edhe sikur KQZ të shprehet që vendimi për rritjen e pagave cenon standardin e zgjedhjeve, efekti politik është prodhuar dhe nuk di ndonjë mekanizëm penalizues në këtë rast. Ndërkohë, edhe opozita e ka të vështirë të shprehet kundër ndaj një vendimi kaq populist në thelb nga frika shumë e mundshme, që do të kishte keqkuptim te votuesit. Koha është shumë e kufizuar për të sqaruar të kundërtën, përveç të tjerave.

Shteti shqiptar, përveçse ka humbur disa vite më parë betejën gjyqësore me Francesco Becchettin, që e dënoi atë me 110 milionë euro për mbylljen e televizionit “Agon Channel”, së fundi humbi në Arbitrazh ankimimin për të mos i paguar këto para, me pretendimin se ish-investitori italian është dënuar nga gjykatat shqiptare. Realisht sa kanë humbur shqiptarët…?

Qeveria shqiptare para së gjithash duhet të mendojë si dhe kur do të paguajë vlerën financiare të dënimit dhe të kërkoje falje para qytetarëve shqiptarë për rastin Becchetti dhe jo vetëm. Pas pagesës dhe kërkimit të faljes, duhet të nxjerrë përgjegjësit, që me veprimet dhe mosveprimet e tyre çuan drejt një dënimi shembullor të gjykatave ndërkombëtare me një shumë të tillë kolosale. Një qeveri minimalisht e përgjegjshme e një shteti minimalisht demokratik duhet të merrte përgjegjësinë politike dhe individuale. Dhe të mendonte dhe vepronte si të shmangte çdo penalitet të ngjashëm.

Sipas të dhënave përllogaritet se pretendimet e palëve të treta ndaj shtetit shqiptar në gjykata ndërkombëtare arbitrazhi deri më sot janë në vlerën e frikshme të 600 milionë euro. Çdo përpjekje për të bërë të fortin me vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar është e kotë dhe vetëm shton edhe më shumë kosto të tjera të natyrës jo vetëm financiare. Goditet serioziteti i shtetit shqiptar si partner i besueshëm euroatlantik, procesi i integrimit në BE. Për të mos folur për rritjen e sigurt të kostove të huamarrjes në tregjet ndërkombëtare financiare deri ne pamundësi të sigurimit të tyre, goditjen e investimeve të huaja dhe të vendit etj. Shqipëria ka nënshkruar traktate ndërkombëtare, që nuk mund të shkelen. Nuk duhet të shpenzojmë para shtesë me studio avokatore për teka qeveritarësh dhe humbje të sigurta.

Çështja “Becchetti”, a është njësoj si ajo e “Hysenbelliu grup”?

Qeveria shqiptare duhet të nxjerrë mësime për të mos kaluar në penalizime të gjykatave ndërkombëtare. Aq më pak të krijojë raste të reja me biznese vendore. Përfshi edhe shfaqjet e rënda në rastin e “Prestige Hotel”. Këtu dua të theksoj një gjë të rëndësishme. Bizneset në Shqipëri, qofshin të huaja apo vendore, janë në një kurth të madh dhe viktimë të sistemit pseu-dodemokratik të krijuar edhe me ndihmën e vetë atyre. Kurthi ka emrin “ose gjithçka, ose asgjë”. Kur je me pushtetin i ke të gjitha, kur je kundër mund t’i humbasësh të gjitha. Shkëputja e bizneseve me tregun dhe varësia e tyre deri në mbijetesë nga bonuset antitreg të politikës janë vetëvrasja e sipërmarrjes, e ekonomisë së tregut dhe vetë demokracisë në Shqipëri./panorama/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb