Vihet në funksion të plotë Akseleratori i 3-të Linear në shërbimin Onkologjik në QSUNT, ku është trajtuar me sukses edhe pacienti i parë. Ky investim rrit kapacitetet e trajtimit në Njësinë e Radioterapisë dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e shërbimit për pacientët onkologjikë, përmes aplikimit të teknologjive moderne dhe teknikave me precizion të lartë. Ndërkohë, vijon puna për të sjellë brankiterapinë dhe Akseleratorin e 4-t Linear.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, gjatë inspektimit në Spitalin Onkologjik në QSUNT, tha se nëpërmjet akseleratorit të ri dhe implementimit të moduleve bashkëkohore rriten kapacitetet e shërbimit në Njësinë e Radioterapisë, ndërsa aplikimi i teknikave të reja realizon ndërhyrje me precizion të lartë dhe trajtime më efikase për pacientët.
Ministrja Sala vlerësoi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, si për mbështetjen me pajisje moderne, ashtu edhe për forcimin e kapaciteteve profesionale nëpërmjet trajnimit të stafit mjekësor dhe fizikantëve.

Duke u ndalur në programin e investimeve për modernizimin e shërbimit onkologjik, ministrja Sala theksoi se po vijon puna për zgjerimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve trajtuese në vend.
“Programi për përmirësimin e shërbimit onkologjik po përparon shumë mirë sepse kemi upgrade të dy akseleratorëve aktualë, së shpejti kemi brankiterapinë, si dhe kemi buxhetuar për të sjellë edhe Akseleratorin e 4-t Linear”, bëri me dije ministrja Sala.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ministrja inspektoi edhe dhomat e kimioterapisë ditore, ku aktualisht pacientët marrin shërbim në ambiente komode dhe sipas fashave orare të përcaktuara, duke bërë të mundur menaxhim më efikas të fluksit dhe përmirësim të organizimit të shërbimit për pacientët.

Aktualisht, në Njësinë e Radioterapisë, me dy akseleratorët trajtohen rreth 140 pacientë në ditë, ndërsa me shtimin e akseleratorit të tretë numri i trajtimeve arrin në rreth 200 pacientë në ditë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb