Nga: Astrit Kosturi
Lëvizja që unë përfaqësoj(LDSH – Lëvizja për Drejtësie Shqiptarëve), i arriti objektivate saj në këto zgjedhje lokale, por kjo nuk do të thotë të mos jemi kritikë për maskaradën zgjedhore që vazhdon të jetë e tillë, si rrobat e mbretit lakuriq, që lavdëroheshin nga servilët, lajkatarët dhe dallaverja e oborrit!
Suksesi ynë apo i disave nuk ka asnjë vlerë pa progresin real të politikës dhe jetës ekonomiko-sociale të vendit, përsa kohë përpiqemi të ngrihemi mbi gënjeshtra, si kjo e ustallarëve të pushtetit dhe e servilëve rreth tij, për zgjedhjet e ndershme në Shqipëri!…
Eksperienca e këtyre 25 viteve na ka treguar, se zgjedhjet kanë qenë një arenë banale e të fortëve, një ndeshje bandash, ashtu edhe këto të fundit, veçse në dukje e fasadë ishin të qeta e normale. Ky është vëzhgimi dhe zëri ynë, që vjen nga brenda kësaj politike të kalbur, që ulërin nga mëngjesi në darkë për dekriminalizim dhe nga të gjitha qelizat e saj merr frymë prej abuzimit, mashtrimit e krimit.
Ashtu si ujërat e qeta, që shembin urat, edhe këto zgjedhje e gërryen nga brenda demokracinë dhe konkurrimin e vlerave, nëpërmjet rreshtimit të njerëzve përkundrejt çmimit të votës. Tamam si në pazarin mesjetar të blerjes së skllevërve!
Kjo nuk është përrallë e dëgjuar apo e thënë lart e poshtë, por një fenomen i nëndheshëm me përmasa të tilla, sa nuk mund të flitet më për programe e platforma, koncepte e ide politike, por vetëm për pazar e blerje.
Prej këtij krimi mbetën jashtë loje dhe të lënduar rëndë, të drejtët, të sinqertët, të pambrojturit. Përgjithësisht, intelektualët dhe të rinjtë në moshë e pa eksperiencë, të cilët u bënë viktima të hajdutëve e pazarxhinjve të votave.
Kjo ka qenë skena më banale dhe më e dhimbshme e gjithë këtyre viteve të mbas ‘90-ës, veçanërisht në këto zgjedhje që u maskuan me ombrellën e paqes, të koduar “blerje e votës shtëpi më shtëpi”. 
Pra, edhe në këto zgjedhje mbretëruan pa asnjë kokëçarje, pabarazia dhe përdorimi i mekanizmave shtetërorë, blerja e trafikimi i votave, ndërsa vjedhja në tavolinë ishte akti final, përmes konsensusit dhe urdhrave të partive të mëdha (LSI-PS-PD-PDIU&co).
Nisur nga ky këndvështrim i përhershëm, them se “Zgjedhjet”, edhe kësaj radhe mbetën në thonjëza, madje u shfaqën hapur si arena ku do ndesheshin heshturazi batakçinjtë e kohës 25-vjeçare, ata, që janë të zotë të vjedhin e abuzojnë me gjithçka, deri në përcaktimin e fituesve të garave elektorale, përmes blerjes me kërcënim e dhunë të njeriut votues.
Pavarësisht rezultatit dhe objektivit që arriti LDSH-ja (Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve), pavarësisht se jemi në krahun e koalicionit fitues të zgjedhjeve, kjo nuk do të thotë se jemi miq me hajdutët, horrat dhe kriminelët, që mbi gjithçka kanë interesat e tyre për sundim e pasurim pa kufi! 
Jo, interesat tona mbeten popullore e kombëtare dhe kundër abuzuesve, shkatërruesve dhe grabitësve të Shqipërisë e shqiptarëve, pavarësisht taktikave elektorale që ndjekim!
Ngjarjet dhe skandalet e përditshme nuk kanë të mbaruar në këtë vend, por kjo nuk duhet të na largojë vëmendjen nga skema kriminale e zgjedhjeve në Shqipëri, prej nga vijnë zinxhir gjithë abuzimet dhe krimet, që godasin pareshtur jetën tonë!
Prej këtyre zgjedhjeve u kuptua se duhet reaguar fuqishëm dhe me të gjitha mjetet, pasi shoqëria shqiptare tashmë i ka humbur përfundimisht shpresat dhe mundësitë për të zgjedhur, veçse ata që heqin vallen e dallaveres dhe të blerjes së votave me para.
Këto dhjetë vitet e fundit, garat elektorale i kanë identifikuar militantët dhe përkrahësit e forcave politike, madje dhe raportet e përafërta mes tyre, duke lejuar pazarxhinjtë të llogarisin blerjen e fitores, përmes njerëzve të futur në listat e tyre, si mall që shitet përkundrejt një çmimi, që kontrollohet e përcaktohet nga grabitësit lokalë e kombëtarë.
Kjo farsë elektorale, që më shumë i ngjan tregut të gjësë së gjallë, nuk u shfaq befas si rrufeja në qiellin pa re dhe pa shkaqe, përkundrazi, në gjithë këto vite të “demokracisë” u kultivua dhe u rritën mashtrimi dhe skema të tilla poshtëruese, sa sot Shqipëria kundërmon erë të keqe e të paduruar.
Periudha parazgjedhore pati shumë hamendje e zhurma, që na bënë t’i prisnim këto zgjedhje pa dëshirë, madje të refuzuara e me parandjenja të këqija, deri te frika e rrëmujave dhe e përplasjeve fizike. 
Por nuk ndodhi kështu! Kjo garë e të fortëve, që vazhdon të quhet fushatë zgjedhore, u zhvillua mjeshtërisht dhe me “qetësi e standarde”, madje me shpirt e zemër në dorë prej politikanëve, duke shfaqur dashurinë e dhembshurinë për popullin që vuan nga varfëria e mjerimi. Ndërsa në themel dhe nën rrogoz, ustallarët e ushqyer prej vitesh me gjakun e shqiptarëve, gjendeshin në tregun e hallexhinjve për t’i blerë e futur në hambarin e votuesve-skllevër. 
Kësisoj, a mundet t’i quajmë zgjedhje këto, kur realisht dhe masivisht, bëhet përcaktuese vetëm vota e blerë?! 
Prej vitesh është diskutuar e denoncuar blerja e votës, por ky krim i shëmtuar jo vetëm mbeti i pandëshkuar, por kriminelët e kësaj masakre të shëmtuar mbushën zyrat e shtetit të pushtetit të tyre, duke u bërë themeli prej nga nisën fijet e krimit shtetëror.
Tani që kanë kaluar vetëm pak ditë prej këtij 21 qershori të zgjedhjeve lokale, shoqëria shqiptare duket krejt e mpirë dhe e shushatur, si të ketë dalë prej një dushi të akullt, duke u ndjerë e goditur mbrapa kokës, prej talljes e mashtrimit të pashembullt. 
E thënë troç dhe jo hiq e moskëput, zgjedhjet e kësaj radhe dhanë frytet e dala prej qelbit të puçrrës së plasur “demokratike” dhe parlamentit të rrugaçëve, që tashmë kundërmon e mbyt me erën e keqe gjithë Shqipërinë.
Zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri, radhë pas radhe janë dukur më të qeta e normale, pavarësisht se në thelb janë degraduar dhe e kanë humbur misionin e tyre, pavarësisht deklaratave të padronëve të politikës apo raporteve të vëzhguesve ndërkombëtarë. Veçanërisht zgjedhjet e kësaj radhe dhe sidomos për zgjedhjen e këshillave të bashkive, ka funksionuar vetëm blerja e votave dhe asgjë tjetër!
Personalisht kam ndjekur e prekur nga afër ndarjen dhe përçarjen e dhimbshme të njerëzve në dhjetëra grupazhe për shkak të “politikës”, ku mes tyre kanë hyrë vetëm urrejtja dhe armiqësia e heshtur. 
Gjatë numërimit të votave, teksa vinin si lumë votat e çuditshme prej zonave po aq të çuditshme, dolën lakuriq karakteret e njerëzve të tunduar prej materiales dhe kartëmonedhës, duke lënë të tallur dhe në vuajtje, të fyer e të goditur mizorisht në shpirt, ata njerëz të pastër, intelektualë e qytetarë shembullorë, që kishin besuar te forca e ideve dhe vlerat e tyre, tek aftësitë dhe zotësitë e tyre. 
Të kënaqur e triumfatorë ishin ata që ngjanin me kafshën grabitqare dhe të pabesë, hajdutët dhe abuzuesit e pandëshkuar të gjithë këtyre viteve, votëblerësit, që me krekosjen dhe karshillëkun e tyre banal të mbushnin vetëm me helm e urrejtje.
Nëse do të funksiononte minimalishtdrejtësia, disa “fitues” do të ishin në pranga kësaj radhe, me rastin e zgjedhjeve të rilindura, për të nisur “kryesisht”, hetimin ndaj këtyre kriminelëve, që nëpërkëmbën vlerat, moralin, platformat serioze dhe konceptet politike!…
Pra, standardi i zgjedhjeve në Shqipëri, vërtet ka “ndryshuar”, përderisa shteti është bërë edhe më garant i krimit zgjedhor dhe favorizues për të gjitha prurjet e reja kriminale në segmentet shtetërore. Prokuroria i ka të gjitha indiciet të ndalojë fituesit e këtij ankandi të blerjes së votave, ata që prej vitesh abuzojnë dhe nuk u ka hyrë një gjemb në këmbë, ata që brenda natës bënë parlamentarë lokalë, veten dhe sojin e tyre!…
Gjatë gjithë fushatës, në dukje mbretëruan qetësia e mirëkuptimi, ashtu siç ndodh gjithnjë kur sherrxhinjtë e zhurmëmëdhenjtë janë duke vjedhur e vrarë jetën e të tjerëve. Madje edhe në tavolinat e komisioneve pati harmoni e mirëkuptim, sepse blerja e votave nga të fortët abuzues kishte vendosur rregullat dhe paqen mes tyre, ashtu siç kanë projektuar prej shumë vitesh, edhe të zezën e shqiptarëve. 
Me një fjalë, në Shqipëri asnjëherë nuk janë bërë zgjedhje korrekte, por tani e tutje, nëse nuk ndryshon ky rregull i mafies, nuk do bëhen më zgjedhje sipas bindjeve e preferencave programore, nuk do të konkurrojë më politika dhe idetë e saj, por ankandi i votave. Ky turp e kryeturp, që nis nga blerja masive e njerëzve dhe deri te numërimi primitiv i votave, është bërë acarues dhe i paduruar për shumicën e shqiptarëve, që me siguri do të dalin prej këtij honi të pakuptimtë, të heshtjes dhe indiferentit.
Përfundimisht, paligjshmëria, informaliteti dhe krimi i përmasave të frikshme e kanë gjunjëzuar popullin shqiptar, të cilin në vitet ‘90 e nxorën në rrugën e madhe, ndërsa tani të skllavëruar, në tregun e shitjes së dinjitetit të mbetur.
Dëshiroj të nënvizoj edhe njëherë, si shqetësim e alarm, se blerësit e votave kësaj radhe kanë qenë gjakftohtë, të dukshëm dhe pa pikë droje, kryelartë e mendjemëdhenj, si të jenë pa pikë dyshimi, ortakë të krimit të organizuar shtetëror!
Kush flet e kundërshton këtë realitet të frikshëm e banal, sot përbuzet, urrehet dhe ndëshkohet nga të fortët që kontrollojnë pushtetin, por njerëzit me virtyte të larta nuk kanë të mbaruar, përkundrazi, janë duke u shtuar dita-ditës!
Blerja e votave ngjan me rrobat e mbretit lakuriq, ku servilët dhe interesaxhinjtë lavdërojnë rrobat e padukshme të mbretit, ashtu si të sotmit lavdërojnë maskaradën dhe imoralitetin e “padukshëm” të zgjedhjeve!
Të gjithë e shohin prej vitesh blerjen e votës, këtë krim të shëmtuar, por siç duket të gjithë janë të interesuar, pasi kjo mënyrë e të bërit politikë është bërë normë e moral tashmë, është bërë filozofia që ka nxjerrë jashtë loje mendimin intelektual, konkurrimin e ndershëm, filozofët dhe shkencëtarët e këtij vendi.
Vërtet e vetmja “filozofi” e zgjedhjeve të fundit ishte blerja masive e votës, duke sfiduar dhe zanatin e vjetër, atë të vjedhjes së tyre, harbutërisht si vite më përpara, por politika e vërtetë është tjetër gjë. Fuqia e vërtetë, që sjell ndryshimet e mëdha politike e social-ekonomike vijnë kur bashkohemi me ide e koncepte të qarta për progresin shoqëror dhe jo përmes pazareve të pista. 
Kështu do të ndodhte, përderisa demokracia, ky sistem që predikon se është pushtet i popullit, nisi me talljen e madhe të çekut të bardhë, të pasurimit pa punuar nëpërmjet shitjes së shtëpive për të ushqyer skemat financiare piramidale, për të arritur te shitja e Shqipërisë një euro, në pritje të mrekullisë që do bënin grabitësit e saj, në këmbim të pasurive të marra dhe së fundmi përmes votave të blera masivisht. 
Pra, çfarë mund të jetë ky sistem, që ngrihet vetëm me fjalë boshe dhe mashtrime?! Gjithçka mund të quhet, gjithçka mund të jetë, por demokraci, nuk ka përse dhe nuk mund të jetë kurrë! 
Kjo mbetet një komedi shumëvjeçare e inskenuar mjeshtërisht prej pushtetit të padronëve të kësaj politike, falë besimit të verbër të spektatorit-popull. Si e tillë, kjo situatë tragjikomike, do të sjellë edhe akte të tjera në vazhdim të këtij teatri banal, nëse populli do të qëndrojë akoma spektator.
Tashmë ndihemi të indinjuar dhe me një zemërim popullor gjithnjë në rritje, kur shohim, se politika e ka humbur misionin e saj, e ka tradhtuar moralin e saj, për të drejtuar shoqërinë, duke u kthyer në një mekanizëm banal dhe vetë politikanët në pehlivanë e zanatçinj, ku të gjithë bashkë përbëjnë klasën e demagogëve, që po mbajnë peng dhe në mjerim popullin shqiptar. 
Sot gjendemi me emrin tallës “sovran”, d.m.th. popull i shpërfillur e i poshtëruar… një shoqëri në depresion dhe totalisht e çorientuar, e grabitur dhe e terrorizuar, duke humbur disafish atë pushtet popullor që patëm dikur.
Situata e zymtë dhe e keqja përballë, që ka marrë përmasa të frikshme dhe të llahtarshme, kërkon ndjenja të forta patriotike, idealizëm e solidaritet popullor, për ta çmontuar nga themelet këtë regjim antihuman.
Ashtu si çdo studiues e shkencëtar, që pas një dështimi a përfundimi të padëshiruar e të pasukses, së pari bën analizën e këtij dështimi dhe mbi bazën e tij, kërkon rrugë të reja për të ecur, edhe shoqëria, kur gjendet përballë një klase politike plotësisht të kalbur, që i ka tradhtuar interesat popullore, reagon duke mbjellë ide të reja dhe orientohet drejt synimeve e qëllimeve të progresit.
Ndërsa shoqëria shqiptare dhe sidomos shtresat e pambrojtura të saj, që janë shumica popullore, ka mbërritur në pikën kritike, që i ngjan një stacioni të mbushur me vrer, frustrim e mërzi, me zemërim e indinjatë, gati shpërthyese dhe me rreziqe potenciale, si një krizë mbarësociale.
Politika 25-vjeçare, pasi e gjunjëzoi popullin e vet në kufijtë e një turme me ndërgjegje të cunguar, tashmë kërkon ta përdorë si numër përkundrejt një çmimi, si shërbëtor i përmasave të reja, në raport me koniunkturat dhe interesat e tyre të pista. 
Përballë kësaj situate thuajse të pashpresë, ka një zgjidhje: Të mos dorëzohemi përpara atyre që e vranë demokracinë, por të reagojmë!
*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: