Teksa u pyet në emisionin “Kjo Javë” në News24 për të dhënë një mendim se çfarë i solli Sandër Lleshaj ministrisë së Brendshme gjatë qëndrimit në detyrë, ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi u shpreh se ai do të mbahet mend për gazin në protesta dhe për tentativën për ta militarizuar tërësisht policinë.

“Lleshaj i solli gazin policisë, përdorimin në masë të gazit. Kudo që kishte grumbullim njerëzish edhe në cepin më të largët hidhte gaz se nuk i duronte dot protestat. Po ashtu ai donte ta militarizonte plotësisht policinë, pavarësisht se nuk ia arriti”,- tha Prençi.

Sa për pasardhësin e tij, ish-kreu i policisë u shpreh:

“Uroj që Zoti Çuçi ta lërë policinë të pa implikuar politikisht duke qenë se jemi edhe para zgjedhjeve që të mos përgojohet policia”.

I pyetur nëse do të jepte dorëheqjen po të ishte sot në vend të Ardi Veliut, Prençi tha: “Në momentin që e kërkojnë qytetarët do e bëja menjëherë, është institucion që nuk duhet të paragjykohet nga askush”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: