Nga: Zonja Katerina

1 pako biskota ose 1 ½ fç pluhur arrë kokosi
2 ½ fç qumësht
3-4 lugë sheqer
1 lugë niseshte
1 lugë miell
2 lugë kakao
100 gr çokollatë
200 gr pana pastiçerie
1 vanilje
2 lugë gjalpë
Pluhur arrë kokosi për servirje

Grijmë biskotat në blender dhe i vendosim në një tavë të lyer me një lugë gjalpë. I nivelojmë mirë dhe e vendosim tavën në frigorifer.

Ndërkohë vendosim në zjarr një tenxhere me gjysmën e sasisë së qumështit dhe sheqerit dhe e lemë të ngrohet. Pjesën tjetër të qumështit dhe sheqerit e përziejmë me niseshten, miellin, vaniljen dhe kakaon. Sapo qumështi në tenxhere të fillojë të marrë valë shtojmë qumështin e trazuar me niseshte dhe kakao. E trazojmë mirë derisa masa të lidhet dhe të bëhet kremoze. E largojmë tenxheren nga soba dhe e lemë të ftohet. Pasi të jetë ftohur shtojmë çokollatën të grirë në copëza.

Nxjerrim tavën nga frigoriferi dhe mbi shtresën me biskota hedhim kremin e përgatitur. E vendosim përsëri tavën në frigorifer dhe e lemë të ftohet mirë.

Më pas rrahim panën e pastiçerisë në marengë dhe e vendosim mbi shtresën e kremit. E rivendosim tavën në frigorifer dhe e lemë të mpikset për shumë orë (mirë do të ishte një natë).

Nxjerrim ëmbëlsirën e mpiksur nga frigoriferi dhe e presim në shirita vertikal. Me ndihmën e një luge mbështjellim shiritat e prerë si role. I ndajmë në madhësinë e llokumeve dhe i servirim spërkatur me pluhur arrë kokosi.

(Vila14/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb