Devis Muka dhe Dorian Ramaliu, moderatorët e emisionit më të ri investigativ në News24, “Tak Fak” kanë rrëfyer se njihen me njëri tjetrin prej 23 vitesh, që nga koha kur ishin në të njëjtin kurs në Akademinë e Arteve.
Të ftuar në studion e “Kjo Javë” në News24, ata shprehën se ndjehen njëlloj si të ishin vëllezër ndërsa nuk i kanë kursyer as batutat, duke thënë se situata është keq duke pasur parasysh se edhe bashkëshortet e tyre janë shoqe dhe punojnë në të njëjtën zyrë.
Ata kanë rrëfyer se shpesh zihen me njëri tjetrin gjatë punës, por se kjo bëhet që produkti në fund të dalë sa më mirë.
Pjesë nga diskutimi në studio:
Dorian Ramaliu: Kemi një marrëdhënie që në akademinë e Arteve që në 2002, kemi qenë në një kurs me profesorin e nderuar Birçe Hasko i cili kujtohet dhe na uron gjithmonë. Në çdo hap jemi bashkë me Devin është pjesë e familjes
Devi Muka: Dori është si vëlla. Ne jemi 4 vëllezër, te tre vëllezërit i kam në emigracion, por kam Dorin këtu. E keqja jonë është se janë edhe gratë shoqe.
Dorian Ramaliu: Dhe janë edhe në të njëjtën zyrë.
Devi Muka: Përpiqemi që të dalë e mirë gjëja, jo të dali i mirë njëri nga ne. E di sa zihemi e grihemi? E dinë të gjithë ata që punojnë me ne. Zihemi për të mirën e punës.
Nisida Tufa: Sa e mbani peshën e përgjegjësisë, sa do të përballeni?
Dorian Ramaliu: Ky emision fatmirësisht është vendosur që për çdo temë është e mbështetur nga ana ligjore, pra nuk do të bëjmë diçka sa për t’u bërë. E kemi mbrojtur gjithçka nga të gjitha anët. Temat janë marrë dhe janë shqyrtuar. Si nga tema e parë që siç thashë është goxha problematike, edhe në episodin e dytë ku ka edhe më shumë ngarkesë dhe ndërhyn edhe policia, asgjë nuk del në televizion pa u verifikuar mirë.
(BalkanWeb)