Është mbyllur protesta e 51 kundër qeverisë. Mijëra persona vijojnë të mblidhen në kryeqytet duke kërkuar ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta dhe thirrje kundër mazhorancës, protestuesit deklarojnë se rezistenca e tyre do të vijojë dhe se kërkesat janë të panegociueshme.
Në marshimin në rrugët e Tiranës, jehojnë thirrjet: “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”. Qytetarët kanë shprehur pakënaqësi ndaj klasës politike, duke e akuzuar atë për korrupsion dhe mungesë përfaqësimi. Ata kanë drejtuar kritika edhe ndaj Kuvendit, duke e cilësuar atë si një institucion që nuk i shërben interesit të qytetarëve.
“Në datën 23 duhet të jemi këtu, të mos mungojmë”, u shpreh një prej aktivistëve gjatë protestës, duke bërë thirrje për vijimin e pjesëmarrjes qytetare.
Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar me slogane kundër deputetëve dhe Parlamentit. “Jo më Zegjine”, “140 deputetë, të gjithë analfabetë” dhe “Parlament i krimit” ishin disa prej thirrjeve të dëgjuara gjatë marshimit.
Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit zhvilluan marshimin e tyre në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama dhe duke kërkuar reagim nga SPAK.
“Arrestoni Ramën!”, ka qenë një prej thirrjeve të përsëritura gjatë marshimit dhe në përfundim të saj nga qytetarët.
Protesta vijon prej 51 ditësh me kërkesën kryesore për largimin e Ramës dhe një ndryshim të thellë në mënyrën e qeverisjes.
